Këtu jeni në Detajet e projektit

Faqja Kryesore| INCA|

Informacion i pergjithshem

Posidonia oceanica (në shqip “leshteriku i detit”) është bimë me lule që jeton në det, por me paraardhës bimë tokësore. Rreth 30 milion vjet më parë ato u përshtatën për të jetuar në ujëra të kripura, ashtu si dhe gjitarët e detit, balenat, delfinët, etj. Gjinia Posidonia (Familja Posidoniaceae) përfshin gjithsej 9 specie. Nga këto vetëm Posidonia oceanica rritet nëdetinMesdhe, kurse 8 speciet e tjera rriten në Australinë Perëndimore.

Biologjia
Posidonia oceanica, si dhe të gjitha bimët me lule, është e përbërë nga organet vegjetative (rrënjë, kërcell dhe gjethe) dhe organet e riprodhimit (lule, frut dhe farë). Kërcelli është i shtrirë, zvarritës, zakonisht i mbuluar nga substrati dhe quhet rizomë. Në anën e poshtme të rizomës dalin rrënjët, të cilat përveç funksionit të fiksimit, i sigurojnë bimës dhe marrjen e lëndëve ushqyese. Në pjesën e sipërme të rizomës dalin gjethet, të vendosura në tufa me nga 6-7 gjethe të zgjatura në trajtë shiritash, rreth 1cm të gjera dhe deri në 1 m të gjata. Gjethet, përveç funksionit të fotosintezës, luajnë rol të rëndësishëm dhe në thithjen e lëndëve ushqyese nga uji. Nga rizoma zvarritëse mund të lindin rizoma të tjera, që rriten horizontalisht ose vertikalisht dhe japin nga ana e tyre tufa gjethesh. Ky proces zhvillimi përfaqëson mekanizmin e shumimit vegjetativ të bimës.

Krahas këtij shumimi, Posidonia shumohet dhe me fara. Lulet shfaqen në muajt shtator-tetor dhe frutat piqen në maj-qershor. Frutat e Posidonies, të quajtura "ullinj deti", për shkak të pamjes së tyre si ullinj, pasi piqen shkëputen nga bima dhe notojnë në sipërfaqe, duke u përhapur nga era në zona të tjera. Pas çarjes së paretit të jashtëm (perikarpit) del fara, e cila bie në fund dhe kur gjen kushte të përshtshme mbin për të dhënë një bimë të re. Livadhet me Posidonia oceanica

Posidonia oceanica, në sajë të veçorive të rritjes së kërcellit dhe të riprodhimit vegjetativ, mund të kolonizojë hapësira të gjera të funddetit, duke formuar sipërfaqe të mëdha të gjelbërta. Këto janë quajtur livadhe, në analogji me hapësirat e gjelbra, që krijohen në tokë nga bimët barishtore. 

Posidonia oceanica formon livadhe të vazhdueshme, nga sipërfaqja deri në një thellësi maksimale 45 m dhe është e zakonshme në tipe të ndryshme substratesh, që nga ai shkëmbor në atë ranor, me përjashtim të estuareve, ku prurjet e ujërave të ëmbla dhe sedimenteve të imta janë të mëdha. Në ujëra me tejdukshmëri shumë të lartë livadhet mund të zhvillohen dhe deri në 50 apo 60 metra thellë.

Një tregues i rëndësishëm për gjendjen e livadhit është dendësia e tij, e shprehur me numrin e tufave të gjetheve që rriten në 1 m2 të sipërfaqes së fundetit. Densiteti është më i lartë në livadhet sipërfaqësore dhe shkon drejt zvogëlimit me ritjen e thellësisë. Livadhet mund të jenë të dendura (mbi 700 tufa / m2) ose gjysëm livadh (100 tufa /m2) e deri në tufa të shpërndara (50 tufa/ m2).

Në detin Mesdhe, livadhet me Posidonia oceanica mbulojnë 25,000 deri 50,000 km2 të hapësirës bregdetare, që i korespondon 25% të fundetit nga 0 deri 40 m thellësi. Kështu, leshterikët janë komponentë shumë të rëndësishëm të ujërave bregdetare mesdhetare.

Livadhet me Posidonia oceanica përfaqësojnë një nga nga ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut dhe ruajtja e tyre është prioritet i lartë ndërkombëtar (EU Habitats Directive 92/43/CEE, 21 May 1992). Posidonia oceanica përfshihet në Annex I (specie bimore strikt të mbrojtura) të Konventës së Bernës dhe në Annex II (lista e specieve të rezikuara ose të kërcënuara) të Konventës së Barcelonës.
Posidonia oceanica është e përfshirë dhe në Librin e Kuq të Florës së Shqipërisë (2006)

Roli ekologjik i livadheve
Në mënyrë të përmbledhur roli ekologjik i livadheve lidhet me sa më poshtë:

  1. Kanë prodhimtari mjaft të lartë: 500-1300 gr/m2/vit në thellësi 1 m, 150-300 gr/m2/vit në thellësi 20 m. Kjo prodhimtari është e krahasueshme me atë të një pylli dushku. Rreth 30% e prodhimtarisë primare të livadheve mbetet në trajtën e gjetheve të vdekura në zonat më të thella.
  1. Grumbullojnë vlera të biodiversitetit detar: livadhet e posidonieve janë rezervuar i biodiversitetit; ato strehojnë rreth 20-25% të specieve të Mesdheut (400-500 lloje algash dhe mbi 1.000 lloje kafshësh); shumë nga këto jetojnë ekskluzivisht në livadhe.

 

  1. Janë prodhuese të oksigjenit: në 1 m2 livadh, si rezultat i procesit të fotosintezës,  prodhohen në vartësi të dendësisë, nga 4-20 litra oksigjen në ditë ose mesatarisht rreth 14 litra. Për këtë arsye ato janë quajtur dhe “mushkëritë e gjelbra” të Mesdheut.
  1. Janë vend strehimi dhe ushqimi: livadhet krijojnë mikrohabitate që shërbejnë për strehim e mbrojtje, për ushqim dhe për riprodhim për një numër të madh organizmash detare. Ndër to ka grupe organizmash me rëndësi të madhe ekonomike si peshq, cefalopodë dhe krustace.

 

  1. Luajnë rol të rëndësishëm në ekuilibrin e sedimenteve: zhvillimi i një sistemi rrënjor dhe kërcellor të fuqishëm ndikon në stabilitetin e tabanit të detit. Masa gjethore e livadheve me Posidonia zvogëlon intensitetin e dallgëve dhe ndikon në rritjen e sedimenteve. Në këtë aspekt livadhet me Posidonia përbëjnë një brez mbrojtës për ruajtjen e brigjeve nga veprimi eroziv i dallgëve. Ajo ul forcën e valëve detare deri në 30% .

Regresi i livadheve
Livadhet me Posidonia oceanica janë dëmtuar shumë këto vitet e fundit duke pësuar regres në gjithë Mesdheun si rezultat i rritjes së presionit njerëzor. Shkaqet kryesore të këtij regresi janë:

  1. Aktiviteti peshkor me mjete dëmtuese si tratat fundore, që shkulin bimët dhe e lenë të çveshur substratin.
  2. Ankorimet, sidomos në zona me aktivitet të dendur të anijeve.
  3. Ndërtimi i porteve e barierave artificiale e derdhja e dherave, të cilat duke ndryshuar rregjimin hidrodinamik, mund të çojnë në rritjen e koefiçentit të sedimentimit e për pasojë "mbytjen" e bimëve.
  4. Derdhjet urbane, për shkak të përmbajtjes së lartë të lëndëve organike, që ndikojnë negativisht në stabilitetin e livadheve, sepse rrisin turbullirën (ulin transparencën) dhe pengojnë dritën e njëkohësisht ndryshojnë ekuilibrin e sedimentimit.
  5. Marrjet e rërës (rastet më ekstreme dëmtuese), prishin në mënyrë katastrofike ekuilibrin e sedimenteve, që përbëjnë substratin e livadheve.

Të gjitha këto mekanizma shkaktojnë fillimin e erozionit, që çon në fragmentimin dhe pastaj në zhdukjen e njësive të biocenozës, të cilat mund të ruhen vetëm në livadhet e zhvilluara mirë.

 

Projekti për hartëzimin dhe menaxhimin e livadheve të Posodonia oceanica

Njohuritë e deritanishme për specien P. oceanica ne Shqiperi kanë qënë mjaft të pakta, duke theksuar se mungonte informacioni mbi shpërndarjen e species përgjatë bregut. Vetëm disa studime mjaft të përgjithshme janë kryer para disa vitesh, te mbeshtetur nga GEF/SGP (Programi i Granteve të Vogla/Fondi Boteror i Mjedisit), qe bazoheshin kryesisht mbi informacionin e grumbulluar nga zhytjet përgjatë zonës bregdetare, që tregonin praninë e këtyre livadheve në Kepin e Rodonit, Gjirin e Vlorës, disa zona në Detin e Jonit  dhe në Gjirin e  Sarandës. Gjithashtu evidentohej lehtë impakti antropogjen negativ mbi këto habitate.

Nga viti 2005 filloi një përpjekje serioze e nisur nga disa shoqata shqiptare ne partneritet me shoqaten italiane GAO dhe Laboratorin e Biologjisë Detare Nautilus, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit. Mbeshtetja financiare është bërë nga tre institucione Ministria e Mjedisit (2004-2005), Ministria e Jashtme italiane nëpërmjet shoqatës GAO (2006-2010), GEF/SGP (2009-2010), dhe kishin si qëllim të mbështesin një projekt i cili përbëhet nga disa faza por me nje objektiv kryesor. Ky projekt kerkon qe te realizoje per here te pare nje inventarizim te plote te habitateve detare e bregdetare te vendit, hartezimin e tij ne format GIS dhe shpërndarjen e informacionit sa me të detajuar per publikun së bashku me një fushatë sensibilizuese. Gjithashtu perveç dokumentimit sasior dhe cilesor të habitateve të P. oceanica si specie kyçe në bazën e ekosistemit bregdetar të detit Mesdhe, ky projekt ka grumbulluar dhe sistemojë një informacion të bollshëm lidhur me një gamë të gjërë habitatesh/mjedisesh përgjatë gjithë bregdetit Shqipëtar. Nëpërmjet aktiviteteve të këtij projekti është synuar të krijohen dhe rriten kapacitetet njerëzore e institucionale për studime në fushën e biodiversitetit detar (përfshirë edhe pjesën e zhytjes nën uje).

Përveç anës studimore projekti mbështet dhe tenton të fusë standarte dhe teknologji bashkëkohore të organizimit dhe ruajtjes së të dhënave si ajo GIS, ku ky projekt hedh një baze të shëndoshë që mund të integrohet me të dhënat e tjera mjedisore detare e tokësore, në përpjekjen e ndërtimit të një sitemi të integruar GIS të dhenash për gjëndjen e mjdisit në Shqipëri. Inventarizimi i livadheve pergjate gjithe bregdetit, dhe kartografimi i tyre due realizuar nje database GIS, perbejne nje mekanizem mjaft te rendesishem jo vetem per zhvillimin dhe menaxhimin e zones, por edhe fushat studimore baze per kerkimet e dinamikeave te habitateve ujore dhe mbrojtjes se tyre.

Aktivitetet e kryera
Projekti ka tre institucione që e kanë mbështetur dhe për këtë arsye ka pasur disa aktivitete të ndryshme që kanë ndjekur një llogjike të qartë ecurie deri në aritjen e objektivave kryesore. Për arritjen e qellimit te ketij projekti janë zhvilluar keto aktivitete:

    • Grumbullimi i informacioneve paraprake për livadhet e Posidonia-s nëpërmjet metodës së inventarizimit nga zhytje në pika te ndryshme (Ministria e Mjedisit)
    1. Përgatitja e një grupi specialistësh për kryerjen e inventarizimit të habitateve detar me metodat bashkëkohore;
    2. Përgatitja dhe kryerja e ekspeditës për grubullimin e informacionit nga pikat e përcaktuara të zhytjes;
    3. Përpunimi i të dhënave dhe ai biologjik ne laborator.
    • Inventarizimi dhe hartëzimi i livadheve të Posidonia-s (GAO, Ministria e Jashtme italiane)
    1. Organizimi dhe kryerja e dy ekspeditave (Prill-Maj) me anijen shoqërisë kërkimore “Nautilus”;
    2. Përpunimi dhe përgatitja e hartave GIS dhe databasit të të dhenave për vendodhjen e livadheve të Posidonia-s në bregdetin shqiptar;
    3. Trajnimi i specialistëve shqiptare për metodologjine e grumbullimit e përpunimin të dhënave.  
    • Studimi social-ekonomik si edhe përgatitja e zbatimi i një fushate sensibilizuese e informuese për aktërët e ndryshëm të interesuar (GAO, Ministria e Jashtme italiane)
    1. Përgatitja, shpërndarja dhe analizimi i pyetësorëve për grupet e aktërëve të interesuar;
    2. Organizmi i aktiviteteve të ndryshme sensibilizuese;
    • Informimi dhe menaxhimi i qëndrueshëm i livadheve të Posidonia-s (GEF/SGP)
      • Përgatitja e një DVD me të gjitha të dhënat e grumbulluara dhe hartat në formatin GIS në gjuhën shqip;
      • Përgatitja e materialeve të tjera sensibilizuese si broshura, fletëpalosje, postera, etj.
      • Organizimimi i aktiviteteve promovuese dhe për shpërndarjen e informacionit të hedhur në DVD.

      Metodologjia e zbatuar për inventarizimin e livadheve

      Siç përmendëm më lart projekti ka pasur disa faza, ku për pjesën që ka të bëjë me inventarizimin dhe kartografimin e livadheve të Posidonia-s janë ndjekur dy faza kryesore: (i) hetimi paraprak nëpërmjet zhytjes e marrjes se informacionit në disa pika, dhe (ii) analiza e detajuar e vendodhjes së livadheve nëpërmjet skanimit të sipërfaqes detare me anije laboratorike.

      Faza e para është zbatuar nga nje grup specialistësh shqiptar, me eksperience shkencore dhe praktika zhytjeje nën ujë.

      Anija “Albed” gjatë ekspeditës                        Grupi i punes: nga e majta, S. Beqiraj, A. Gaçe, Xh. Mato, L. Kashta

      Gjatë kësaj faze që u realizua gjatë vitit 2004-2005, u arritën të trajnoheshin ekspertët shqiptarë me metodikat e punës në zhytje dhe analizat sasiore që i bëheshin livadheve të llojit Posidonia oceanica dhe të gjëndjes së tyre. Gjatë punës u mat dendësia e tufave dhe te dhenat të tjera për  çdo stacion studimi, duke filluar nga bregu dhe deri në thellësitë e përhapjes së livadheve ku u bënë vrojtime të përgjithshme në lidhje me morfologjinë e bregut, substratin, pendencën si dhe florën e faunën bentike (llojet dominante dhe më me interes).
      Densiteti i tufave konsiderohet si një tregues kryesor në studimet mbi livadhet e Posidonia oceanica. Ky tregues shpreh numrin e tufave gjethore për njësi të sipërfaqes, zakonisht për 1 m2 dhe jep informacion të rëndësishëm për gjendjen e përgjithshme të një livadhi. Densiteti i livadheve me Posidonia oceanica llogaritet me numrin e tufave (shoots) të matura direkt me anë të zhytjes. Matjet u realizuan duke përdorur kuadrate plastike me brinjë 50 cm, të ndarë në kuadrate më të vogjël me brinjë 10 cm, sipas metodikave të njohura. Mesatarja u llogarit mbi bazën e 10 përsëritjeve. Rezultatet e nxjerra nga kuadrati ekstrapolohen për 1 metër katror. Mbi bazën e vlerave të densitetit, livadhet klasifikohen sipas një shkallëzimi që reflekton ndikimin e një tërësie faktorësh strukturorë dhe të ndërveprimeve funksionale brenda formacionit, që lidhen me variabilitetin e mjedisit rrethues.

      Zonat e studimit janë zgjedhur në mënyrë të tillë që të jenë rreth 30 km larg njëra tjetrës dhe të jenë sa më përfaqësuese nga pikpamja e larmisë së kushteve. Këto zona ishin:
      • Velipojë - Shëngjin
      • Kepi i Rodonit
      • Porto Romano - Durrës
      • Gjiri i Vlorës -Karaburun
      • Rrëza e Kanalit - Himarë (Porto Palermo)
      • Ceka  e Lukovës - Kepi Qefalit
      • Gjiri i Sarandës – Ksamil
      • Kepi i Stillos- Gjiri i Ftelisë

      Pas kësaj faze ku u evidentuan zonat kryesore dhe gjendja e livadheve të Posidonia-s filloi faza e dyte e cila do të bënte një analizë më të detajuar të situatës dhe me teknikat më moderne që janë sot të vlefshme. Metodologjia bazohet në përdorimin e mjeteve si SSS (side scan sonar) me mbulim te plote, singlebeam, ROV (Romotely Operated Vehicle) dhe relevime të drejtpërdrejta nga biolog detar me zhytje. SSS është një nga metodat ekografike që furnizon “imazhe akustike” të funddetit nëpërmjet një trasmetuesi/marrësi të zhytur në ujë dhe i tërhequr nga anija. Për rilevim batimetrik përdoret edhe paisja singlebeam që është nje eko-analizues. Për realizimin e detyrës u kryen dy ekspedita me anijen e laboratorike “Coopernaut Franca” të shoqërisë shkencore Nautilus në Vibo Valente (Kalabri) të Italisë. Ekspeditat u kryen në dy stade: nga 6 Prilli deri ne 4 Maj 2008 për analizat gjeofizike, dhe një ekspeditë e dytë për pjesën biologjike dhe ROV në periudhën 15-30 Qershor. Ekspedita e dytë u krye pasi u analizuan të dhënat gjeofizike të marra më parë. Siç u shpjegua më lart, nëpërmjet SSS (side scan sonar) arihet të përftohen imazhe të funddetit që kanë tipologji të ndryshme të substratit (rërë, baltë, shkëmb, sipërfaqe me Posidonia). Intensiteti i reflektimeve akustike nga tabani i detit regjistrohet në seri të njëpasnjëshme të pjesëve të mbivendosura. Kur këto pjesë bashkohen sipas drejtimit të levizjes së anijes, ato formojne nje imazh te fundit te detit (fotomozaik). Interperetimi i të dhënave të marra nga SSS bën të mundur që të përcaktohen kufijtë e format livadheve me një preçizion të kënaqshëm.

      Side Scan Sonar
      sidescan         hawaii-ordnance-sonar3

      robot-577x405

       

       

       

       

       

       

       

       

       

       

       

       

       

       

      Pas krijimit të imazheve nga SSS në formën e një fotomozaiku, është e nevojshme që të dhënat batimetrike të saktësohen me anë metodave të verifikimit direkt, dhe për këtë përdoren:

      • ROV (robotë që drejtohet në distancë),
      • Vëzhgim me zhytje,
      • Mbledhja e kampioneve biologjike.

      ROV është një robot nënujorë i komanduar nga sipërfaqja dhe është i pajisur me një aparat filmimi që lejon analizim të të dhënave dhe eksplorimin në thellësi të mëdha. Regjistrimet e bëra merren për tu shqyrtuar në raport me të dhënat e SSS dhe interpretuar saktë të dhënat e funddetit.

      Në bazë të të dhënave paraprake bregdeti ynë u nda në 5 zona të mëdha në të cilat u identifikuan 9 livadhe të Posidonia oceanica. Në total u kartografuan rreth 2837 ha te sipërfaqes së fundetit me interes për pranine e këtyre livadheve. Zonat ishin:
      1 - Kepi i Rodonit,
      2 - Zona e Porto Romanos në Durrës,
      3 - Gjiri i Vlorës (të dhënat u morën nga Projekti Interreg)
      4 - Pjesa Himare – Dhërmi
      5 - Bregdeti i Lukovës
      6 - Pjesa e Sarandës (dy zona)

      Analiza socio-ekonomike
      Duke parë rezultatet e punës në lidhje me kartografimin e livadheve të Posidonia-s, në fazën e fundit të projektit u ndërmor një studim socio-ekonomik në zonën bregdetare për të vlerësuar nivelin e ndjeshmërisë dhe përfshirjes të aktorëve të ndryshëm lokalë për sa i përket ruajtjes se mjedisit, mbrojtjes së mjedisit detar, dhe të ekosistemeve të llojit Posidonia oceanica. Nëpërmjet kombinimit të analizave sasiore e cilësore të përdorura për grumbullimin dhe analizën e të dhënave, studimi kërkon të japë mjetet e nevojshme për tu aplikuar në një fushatë sensibilizimi në drejtim të mbrojtjes së livadheve të Posidonia-s në vendin tonë dhe rritjes së kapaciteteve të aktorëve lokalë për sa i përket menaxhimit dhe zhvillimit të zonës bregdetare.

      Për identifikimin e aktorëve të ndryshëm që janë të pranishëm dhe kanë impakt në shfrytëzimin dhe ruajtjen e zonës, u përdorën infomacione ekzistuese si ato të grumbulluara nga INCA ashtue edhe të një studimi paraprak të kryer nga GAO për këtë problem. Në këtë mënyrë u arrit të krijohej një kuadër i saktë referimi për grupet e interesit me të cilët do të zhvillohet studimi socio-ekonomik. Në këtë kontekst u përcaktuan këto grupe aktorësh:

      • Peshkatarët,
      • Operatorët turistikë,
      • Pushteti vendor, dhe
      • Shoqatat jo fitimprurëse.

      Kampionimi i 150 njësive për çdo grup, u përcaktua nëpërmjet teknikës së kampionimit jo probabilistik ku u arrit të seleksionoheshin nje grup ekspertësh, i përbërë nga persona që mendohet se janë të informuar për zonën bregdetare në fjalë të cilët quhen opinion leader (figura me influencë shoqërore) dhe dëshmitarët e privilegjuar (figura jo shumë të rëndësishëm nga pikpamja shoqërore por që kanë informacion të nevojshëm). Në bazë të zonave detare ku është identifikuar prezenca e livadheve të Posidonia-s, zona bregdetare u nda në katër pjesë të mëdha Shëngjini, Durrësi, Vlora dhe Saranda. Kjo analizë bëri të mundur organizimin e studimit në sektore në bazë të veçorive për çdo pjesë (burimet, karakteristikat, problematikat, etj).

      Pas përcaktimit të njësisë së rilevimit dhe zonës së studimit, puna vazhdoi me strukturimin e studimit. Mjeti i analizës (pyetësori) u organizua në katër seksione të ndryshme, te cilat konsistonin në pyetje të përgjithshme për mjedisin, pyetje që lidhen me burimet e pasuritë detare dhe në fund kishte pyetje me specifike që lidheshin me llojin Posedonia oceanica. Brenda kësaj kornize janë futur edhe pyetje me përgjigje të përcaktuar, në disa raste me përgjigjen PO/JO, për të vlerësuar në disa raste instrumentat menaxhues dhe veprimtaritë e vëna në zbatim nga institucionet për riajtjen e mjedisit detar. Pyetjet e tjera me përgjigje të lirë prekin aspekte që janë tregues të nivelit të ndërgjegjësimit për çeshtjet e mjedisit, të detit dhe më veçanërisht për Posidonia-n.  Pas përcaktimit të strukturës së studimit, është vënënë zbatim teknikë administrimit të pyetësorit me intervistim të drejtpërdrejtë, duke pasur parasysh tipologjinë e personave që plotësonin pyetësorin dhe në shumë raste mangësia e njohurive me paisjet informatike. Në këto raste merr një domethënie të veçantë roli i intervistuesit të cilët u përzgjodhën me kujdes dhe u trajnuan shkurtimisht për punën që do të kruenin. Për realizimin e punës u përgatit një staf prej 4 personash (një për secilën zonë) të cilët realizuan intervistat për një periudhë kohe prej 15 ditësh. Përgatitja e mirë dhe kontaktet e vazhdueshme me ekspertin italian të GAO-s në lehtësoi punën e personave rilevues në terren dhe kontribuoi në zvogëlimin e pyetjeve pa përgjigje dhe atyre të refuzuara.


      Marradi A. (2007) Metodologia delle scienze sociali, Bologna, Il Mulino.

       

       

© 2010 INCA: Rruga “Islam Alla”, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania, Tel/Fax: 355 4 2231437, E-mail: [email protected], Web: www.inca-al.org